Vendimi nr. 00-2025-2238 (273), datë 21.05.2025 i Kolegjit Civil
Vendimi nr. 00-2025-2238 (273), datë 21.05.2025 i Kolegjit Civil Autori i veprës artistike gëzon të drejtën e mbrojtjes automatike të të drejtave të tij, për faktin e vetëm të realizimit të krijimit dhe nuk mund të mos legjitimohet në ngritjen e padisë për mbrojtjen e të drejtës së autorit vetëm mbi bazën e mungesës së certifikimit. Paditësi ushtron profesionin e fotoreporterit dhe gazetarit. Me rastin e ndarjes nga jeta të një këngëtareje të shquar, në homazhet e zhvilluara me këtë rast, nga M…
Vendimi nr. 00-2025-2238 (273), datë 21.05.2025 i Kolegjit Civil
Autori i veprës artistike gëzon të drejtën e mbrojtjes automatike të të drejtave të tij, për faktin e vetëm të realizimit të krijimit dhe nuk mund të mos legjitimohet në ngritjen e padisë për mbrojtjen e të drejtës së autorit vetëm mbi bazën e mungesës së certifikimit.
Paditësi ushtron profesionin e fotoreporterit dhe gazetarit. Me rastin e ndarjes nga jeta të një këngëtareje të shquar, në homazhet e zhvilluara me këtë rast, nga Ministria e Kulturës, ishte përdorur fotoja e bërë nga fotografi, i cili ka pretenduar për dëmin e shkaktuar. Ky dëm konsiston në dëmin pasuror, pra fitimi i munguar i cili vjen si pasojë e mungesës së një kontrate të lidhur midis dy palëve, në bazë të të cilës do të bëhej dhe publikimi që do gjeneronte të ardhura, si dhe dëmi moral si një e drejtë jopasurore e cila lidhet me personalitetin e autorit të veprës artistike në rapport me përdoruesit e saj, me tjetërsimin dhe zhvlerësimin e saj në rastin konkret, prishjen e imazhit të veprës dhe impaktin që ajo përçon të lexuesi dhe shikuesi.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë së paditësit dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi.
Arsyetimi i Kolegjit Civil (KCGJL)
KCGJL vlerëson të gabuar konkluzionin e gjykatave të faktit, të cilat kanë konstatuar mungesën e legjitimimit aktiv të paditësit për shkak se në kohën kur ka ndodhur fakti i pretenduar, ai nuk ishte regjistruar për veprën konkrete në Zyrën Shqiptare të të Drejtës së Autorit. KCGJL vëren se asnjë prej gjykatave të faktit nuk ka marrë në analizë në themel pretendimet objekt padie duke u kufizuar në mungesën e legjitimimit aktiv të paditësit në ngritjen e padisë vetëm mbi bazën e mungesës së certifikimit.
Legjislacioni shqiptar mbi të drejtën e autorit sanksionon parimin e mbrojtjes automatike, mbi të cilën autorët gëzojnë të drejtën e autorit mbi veprat e tyre, për faktin e vetëm të realizimit të krijimit. Në dallim nga të drejta të tjera, të cilat për t’u njohur nga të tretët dhe për të gëzuar mbrojtje, duhet të regjistrohen, për ekzistencën dhe zbatimin e së drejtës së autorit nuk kërkohet asnjë regjistrim i veprës ose formalitete të tjera.
Për këtë arsye KCGJL vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me tjetër trup gjykues.